Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

FSSHM, përmes Listës Pozitive dhe konkurrencës së barnave gjenerike, siguron çmime më të ulëta të barnave dhe qasje më të madhe për pacientët

FSSHM, përmes Listës Pozitive dhe konkurrencës së barnave gjenerike, siguron çmime më të ulëta të barnave dhe qasje më të madhe për pacientët

Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë vazhdon të ndërmarrë masa për uljen e shpenzimeve për barna dhe përmirësimin e qasjes së personave të siguruar në terapi bashkëkohore. Përmes zgjerimit të Listës Pozitive dhe vendosjes së konkurrencës së barnave gjenerike, Fondi krijon kushte për çmime më të ulëta, disponueshmëri më të madhe të barnave dhe përdorim më efikas të mjeteve publike.

Në disa grupe terapeutike, çmimet e barnave në Maqedoni ende janë më të larta krahasuar me disa vende të rajonit. Krahas kufizimeve objektive që rrjedhin nga madhësia e tregut vendor, ekzistojnë mekanizma përmes të cilëve mund të ndikohet ndjeshëm në uljen e çmimeve të barnave.

Fondi zbaton dy mekanizmat më të rëndësishëm:

  • futjen e barnave të reja në Listën Pozitive;
  • nxitjen e konkurrencës së barnave gjenerike, në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Gjatë muajit të kaluar u realizuan të dyja masat. Në Listën Pozitive A janë përfshirë tre barna antikoagulante, ndërsa në dy grupe terapeutike është vendosur konkurrenca e barnave gjenerike.

Rivaroksabani – shpenzime dukshëm më të ulëta për pacientët

Për herë të parë, bari Rivaroksaban është i disponueshëm përmes Listës Pozitive. Për terapinë çmimi i së cilës është rreth 2.200 denarë, pacientët deri më tani paguanin rreth 475 denarë participim dhe pagesë shtesë. Nga viti i ardhshëm, pjesëmarrja e tyre do të jetë vetëm 160 denarë.

Njëkohësisht, çmimi i barit është pothuajse përgjysmuar, gjë që paraqet një shembull konkret se si konkurrenca dhe politikat e Fondit kontribuojnë drejtpërdrejt në uljen e shpenzimeve dhe në qasjen më të madhe në terapi.

Beklometazon/formoterol – më shumë zgjedhje, pa kosto shtesë

Te terapia inhalatore për astmën dhe sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK), me futjen e një brendi të ri konkurrues me të njëjtën përbërje dhe të njëjtën dozë, të prodhuar në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, vendoset konkurrenca e barnave gjenerike.

Si rezultat i kësaj, çmimi referencë për paketim ulet nga 2.715 denarë në 1.915 denarë (me TVSH të përfshirë).

Për pacientët kjo do të thotë se në të njëjtin grup terapeutik tashmë është i disponueshëm një bar pa pagesë shtesë. Ulja e çmimit referencë nuk paraqet barrë shtesë financiare për personat e siguruar.

Gjithashtu, prodhuesi i barit “Foster” zyrtarisht e pranoi çmimin e ri referencë, i cili do të fillojë të zbatohet pas shterimit të sasive tashmë të dorëzuara. Pas harmonizimit të çmimit, edhe “Foster” do të jetë i disponueshëm pa pagesë shtesë, me participim të përcaktuar me ligj prej 280 denarësh.

Kursimet do të investohen në terapi të reja

Sipas analizave të Fondit, nëse çmimi i ri referencë zbatohet mbi vëllimin e recetave të lëshuara gjatë vitit 2025 (57.441 receta, me vlerë të përgjithshme prej 166,7 milionë denarësh), priten kursime vjetore prej 46 deri në 49 milionë denarë.

Këto mjete do të mundësojnë futjen e një bari të ri trekomponentësh nga i njëjti grup terapeutik, me çka pacientët do të kenë qasje në terapi edhe më bashkëkohore pa ngarkesë shtesë financiare.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor mbetet i përkushtuar në sigurimin e barnave dhe shërbimeve shëndetësore të qasshme, cilësore dhe financiarisht të qëndrueshme, përmes politikave që njëkohësisht mbrojnë interesat e personave të siguruar dhe sigurojnë përdorim racional të mjeteve publike.

Qëllimi ynë është i thjeshtë – pacientët të paguajnë më pak, ndërsa me të njëjtat mjete publike të sigurojmë më shumë dhe më cilësore shërbime shëndetësore. Çdo kursim që e realizojmë përmes konkurrencës dhe menaxhimit racional e kthejmë përsëri në sistemin shëndetësor, përmes futjes së terapive të reja dhe kujdesit më të mirë shëndetësor për personat e siguruar.
– Sasho Klekovski, drejtor i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë

 Video-sqarim: Drejtori i FSSHM-së u përgjigjet pyetjeve më të shpeshta të personave të siguruar, mjekëve të zgjedhur dhe barnatoreve

Pas publikimit të ndryshimeve të Listës Pozitive, Fondi regjistroi pyetje dhe dilema të shumta nga personat e siguruar, mjekët e zgjedhur dhe barnatoret, veçanërisht në lidhje me barin “Foster”, vendosjen e konkurrencës së barnave gjenerike dhe mënyrën se si këto ndryshime do të zbatohen në praktikë.

Me qëllim të informimit në kohë, transparent dhe të saktë të publikut, drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski, përgatiti një video të shkurtër në të cilën jep përgjigje të qarta për pyetjet më të shpeshta dhe sqaron përfitimet kryesore nga masat e reja.

Video: Pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta

Për ata që dëshirojnë të informohen më hollësisht, në vijim është e disponueshme edhe konferenca e plotë për shtyp e drejtorit të Fondit.