Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Më shumë qasje dhe kosto më të ulëta për pacientët

Më shumë qasje dhe kosto më të ulëta për pacientët

Enoxaparin, Nadroparin dhe Rivaroxaban – tani të disponueshme në barnatore

Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë vazhdon të avancojë qasjen në terapi bashkëkohore dhe të ulë kostot për personat e siguruar.

Duke filluar nga 1 korrik 2026, në barnatoret në të gjithë vendin janë të disponueshme tre barna antikoagulante që përshkruhen shpesh – Enoxaparin, Nadroparin dhe Rivaroxaban.

Me këtë masë përmirësohet ndjeshëm qasja në terapinë antikoagulante. Enoxaparin dhe Nadroparin, të cilat deri më tani pacientët i siguronin përmes procedurës së rimbursimit, tani janë të disponueshme drejtpërdrejt në barnatore, ndërsa Rivaroxaban për herë të parë është përfshirë në Listën Pozitive të Barnave.

Me këtë vendim tregojmë se Lista Pozitive nuk është vetëm një listë barnash, por një instrument përmes të cilit ne ulim drejtpërdrejt shpenzimet e trajtimit për pacientët. Sot mijëra qytetarë kanë qasje më të lehtë në terapinë moderne antikoagulante, ndërsa kursimet e krijuara do të na mundësojnë që edhe në të ardhmen ta zgjerojmë Listën Pozitive me barna të reja, moderne dhe më të kushtueshme.
   
- Theksoi, ndër të tjera, Sasho Klekovski, drejtor i FSSH-së

ENOXAPARIN DHE NADROPARIN

Enoxaparin është i disponueshëm në më shumë doza dhe paketime, me çmim që varion nga 1.160 deri në 2.700 denarë.

Bari është i disponueshëm në dy brende, ku një brend jepet pa pagesë shtesë, përkatësisht pacientët paguajnë vetëm participimin ligjor që është nga 160 deri në 240 denarë, në varësi të dozës dhe paketimit.

Me uljen e çmimit referencë sigurohen kursime si për personat e siguruar, ashtu edhe për Fondin.

Përfitimet kryesore

  • 1.160–2.700 denarë – çmimi i barit
  • 160–240 denarë – participimi
  • 0 denarë – pagesë shtesë për një brend të Enoxaparin

RIVAROXABAN

Rivaroxaban është një antikoagulant oral bashkëkohor që përdoret nga midis 6.000 dhe 10.000 personave të siguruar, ndërsa çmimi i tij deri më tani ishte nga 2.000 deri në 2.200 denarë në muaj, në varësi të dozës.

Me përfshirjen në Listën Pozitive, bari do të jetë i disponueshëm me participim prej 160 denarësh, ndërsa pagesa shtesë do të jetë nga 105 deri në 505 denarë, në varësi të dozës dhe paketimit.

Te paketimi më i përdorur – 30 tableta prej 10 mg – pacienti do të paguajë 160 denarë participim dhe 315 denarë pagesë shtesë, që paraqet kursim prej 1.752 denarësh në muaj krahasuar me çmimin e deritanishëm.

Përfitimet kryesore

  • 2.000–2.200 denarë – çmimi i deritanishëm
  • 160 denarë – participimi
  • 105–505 denarë – pagesë shtesë (në varësi të dozës dhe paketimit)
  • 1.752 denarë – kursim për paketimin më të përdorur

Nga 1 janar 2027, Rivaroxaban do të jetë i disponueshëm pa pagesë shtesë, përkatësisht pacientët do të paguajnë vetëm participimin ligjor, me çka barra financiare do të ulet edhe më tej.

FONDI INVESTON DHE KURSEN

Përveç kursimeve të konsiderueshme për personat e siguruar, me uljen e çmimeve referencë Fondi do ta sigurojë barin me çmim më të ulët, gjë që mundëson përdorim më të përgjegjshëm dhe më efikas të mjeteve publike.

Çmimi referencë i Rivaroxaban do të përgjysmohet, gjë që paraqet kursim të konsiderueshëm edhe për sistemin shëndetësor.

HAP DREJT ZGJERIMIT TË LISTËS POZITIVE

Me këtë zgjerim, Fondi fillon përfshirjen sistematike të barnave më të kushtueshme për terapi kronike në rangun e çmimeve prej 2.000 deri në 3.000 denarë në muaj, politikë që do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.

Përfshirja e barnave të reja në Listën Pozitive paraqet një nga mekanizmat më efikasë për uljen e çmimeve, përmirësimin e disponueshmërisë së terapisë dhe uljen e barrës financiare për pacientët.

Fondi mbetet i përkushtuar në sigurimin e kujdesit shëndetësor më cilësor, më të qasshëm dhe financiarisht të qëndrueshëm, përmes politikave që njëkohësisht mbrojnë interesat e personave të siguruar dhe sigurojnë menaxhim racional të mjeteve publike.