Dy vite reformash që sollën rezultate të matshme për pacientët
Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot prezantoi llogaridhënien mbi punën e realizuar gjatë dy viteve të fundit – periudhë në të cilën u zbatuan reforma të rëndësishme, u siguruan investime rekord në shëndetësi dhe u vendosën politika që përmirësojnë drejtpërdrejt qasjen e qytetarëve në shërbimet shëndetësore.
Krahasuar me fundin e vitit 2023, Fondi siguroi 8,6 miliardë denarë shtesë për sistemin shëndetësor, ndërkaq mjetet e përgjithshme u rritën nga 42,9 në 51,5 miliardë denarë, përkatësisht me 20 për qind. Njëkohësisht, pjesëmarrja e buxhetit shëndetësor në PBB u rrit nga 4,80% në 4,95%.
Investimi më i madh në kujdesin shëndetësor primar deri më tani
Në prill të vitit 2025 u realizua rritja më e madhe e pikës së kapitacionit në historinë e kohëve të fundit të Fondit.
- kapitacioni për mjekësinë e përgjithshme dhe gjinekologjinë u rrit nga 75 në 100 denarë (+33%);
- për stomatologjinë nga 61 në 75 denarë (+23%).
Kjo masë ka vlerë rreth 1,1 miliardë denarë në vit, ndërsa kapitacioni i përgjithshëm është rritur me më shumë se 900 milionë denarë, përkatësisht 21 për qind.
Paralelisht me këtë, u vendosën objektiva të reja parandaluese për mjekët amë – zbulimi i hershëm i kancerit të prostatës dhe zorrës së trashë, skriningu i shëndetit mendor dhe kontrollet e zgjeruara parandaluese te fëmijët.
Paga më të larta për punonjësit shëndetësorë
Në periudhën e kaluar pagat në shëndetësinë publike u rritën në tri hapa të njëpasnjëshëm:
- 10% në nëntor të vitit 2024;
- 5% në mars të vitit 2025, pas Marrëveshjes së arritur me sindikatat;
- 6% në mars të vitit 2026.
Me këtë u realizua rritje nominale kumulative prej 22,4 për qind, përkatësisht rreth 16 për qind rritje reale mbi inflacionin.
Mjete rekord për spitalet dhe terapitë bashkëkohore
Mjetet për institucionet shëndetësore publike janë rritur nga 26,2 në 32,5 miliardë denarë (+23,8%), ndërsa mjetet për klinikat universitare u rritën për 32,8 për qind.
Në vitin 2025 u siguruan edhe buxhete të kushtëzuara rekord prej 4,82 miliardë denarësh, që paraqet rritje prej 38 për qind vetëm për një vit.
Prej tyre:
- 4,4 miliardë denarë janë të destinuara për barna bashkëkohore dhe inovative;
- 2,4 miliardë denarë për terapi onkologjike;
- 1,36 miliardë denarë për trajtimin e sëmundjeve të fëmijëve.
Këto mjete mundësojnë vendosjen e ndërhyrjeve të reja dhe terapive bashkëkohore pa barrë shtesë financiare për pacientët.
Njëkohësisht, numri i shërbimeve spitalore të realizuara vazhdoi të rritet. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 194.230 raste spitalore sipas DRG, që paraqet rritje prej 5,1 për qind, ndërsa ndërhyrjet kardiokirurgjike janë rritur për 15 për qind.
Lista Pozitive më në fund filloi të zgjerohet
Pas më shumë se një dekade ngecjeje, filloi zgjerimi thelbësor i Listës Pozitive.
Gjatë 15 muajve të kaluar janë vendosur 13 barna të reja, mes të cilave terapi antikoagulante, kardiovaskulare, terapi për depresion dhe demencë, si dhe barna bashkëkohore onkologjike, me buxhet shtesë prej 5 milionë euro.
Njëkohësisht, përmes konkurrencës gjenerike u ul çmimi referent i terapisë inhalatore beklometazon/formoterol nga 2.715 në 1.915 denarë, me çka sigurohet kursim vjetor prej rreth 46–49 milionë denarë, mjete që ridestinohen për financimin e një bari të ri bashkëkohor.
Në interes të pacientëve, dy barna onkologjike u transferuan në Listën Pozitive primare, me çka shmangen rreth 11.000 udhëtime dhe kontrolle specialistike të panevojshme në vit vetëm për përshkrimin e recetës.
Qasje më e shpejtë dhe më e gjerë në trajtim
Në fushën e trajtimit jashtë vendit:
- janë realizuar 290 trajtime, që është rritje prej 19 për qind;
- kërkesat e refuzuara janë ulur për 61 për qind;
- afati për vendimmarrje është shkurtuar nga 45 në 30 ditë.
U zgjeruan dukshëm edhe të drejtat për fekondim të asistuar biomjekësor, ku numri i përpjekjeve u rrit nga tri në gjashtë, ndërsa procedura është thjeshtuar plotësisht.
Në mënyrë shtesë:
- numri i shfrytëzuesve të rehabilitimit mjekësor është rritur për 7,6 për qind;
- trajtimet me dializë janë rritur për 5 për qind, me vendosjen e dy metodave të reja bashkëkohore.
Fondi – institucion në shërbim të qytetarëve
Fondi sot është renditur si institucioni më transparent në shtet, që paraqet një kërcim të madh nga vendi i 45-të në vitin 2024.
Në të njëjtën kohë, institucioni sot shërben 465 institucione shëndetësore kontraktuese më shumë, dhe këtë me 29 të punësuar më pak, ndërsa numri i kontrolleve është rritur ndjeshëm, veçanërisht te pushimet mjekësore, ku janë realizuar dyfish më shumë kontrolle.
Mirënjohje
Rezultatet e arritura janë produkt i punës së përbashkët, përkushtimit dhe partneritetit.
Mirënjohje të veçantë meritojnë të gjithë të punësuarit në Fond – në Shërbimin Qendror dhe në shërbimet rajonale në të gjithë shtetin. Me numër më të vogël ekzekutuesish dhe me vëllim dukshëm më të madh pune, ata çdo ditë tregojnë se administrata publike mund të jetë efikase, profesionale, e përgjegjshme dhe plotësisht e përkushtuar ndaj qytetarëve.
Mirënjohje u shprehim edhe punonjësve shëndetësorë në institucionet shëndetësore publike dhe private, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë për qasjen partnere në realizimin e reformave, sindikatave për dialogun social konstruktiv, mjekëve amë, barnatoreve dhe institucioneve shëndetësore kontraktuese që çdo ditë janë më afër pacientëve, si dhe mediave, pyetjet dhe qasja profesionale e të cilave kontribuojnë që institucionet të jenë edhe më të hapura, më transparente dhe më të përgjegjshme.
Mirënjohja më e madhe u takon të siguruarve dhe pacientëve. Besimi i tyre është vlerësimi më i madh për punën tonë, por edhe detyrimi më i madh që mbartim.
„Sot e lëmë Fondin financiarisht më të fuqishëm, institucionalisht më transparent dhe shumë më afër pacientëve sesa e gjetëm. Pas çdo shifre në këtë raport qëndron një jetë njerëzore, trajtim në kohë dhe siguri më e madhe për qytetarët. Kjo është vlera më e madhe e gjithçkaje që kemi bërë së bashku gjatë dy viteve të fundit. Këto rezultate nuk janë qëllim përfundimtar, por themel mbi të cilin do të vazhdojë përmirësimi i mëtejshëm i sistemit shëndetësor – me barna të reja, më shumë shërbime digjitale dhe kujdes shëndetësor edhe më të mirë për çdo pacient.“- porositi drejtori i Fondit, z. Sasho Klekovski
Deklaratë për shtyp e drejtorit të Fondit, z. Sasho Klekovski: