Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Konferencë e përbashkët për shtyp - ISHP Klinika Universitare e Radioterapisë dhe Onkologjisë (KURO) dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë

Konferencë e përbashkët për shtyp - ISHP Klinika Universitare e Radioterapisë dhe Onkologjisë (KURO) dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë

Sot, më 4 prill 2026 (e shtunë), me fillim në ora 11:30, në ambientet e ISHP Klinikës Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp, në të cilën u prezantuan rezultatet, investimet dhe planet e ardhshme për përmirësimin e trajtimit të pacientëve onkologjikë.

Në konferencën për shtyp u trajtuan këto tema kryesore:

  • Të dhëna dhe rezultate – pasqyrë e incidencës (numri i rasteve të reja) dhe prevalencës (numri total i rasteve ekzistuese) te sëmundjet malinje (kanceri i gjirit, kanceri i mushkërive dhe melanoma), si dhe rezultatet e arritura në trajtim; 
  • Investimet financiare – buxheti i Klinikës për vitin 2026 dhe përmirësimet e planifikuara; 
  • Metodë e re – aplikimi i radioterapisë stereotaksike moderne, si teknikë me precizion të lartë për trajtimin e lezioneve specifike të trurit. 

Në vitet e fundit, megjithëse numri i rasteve të reja të diagnostikuara (incidenca) mbetet relativisht i qëndrueshëm, numri total i pacientëve (prevalenca) shënon rritje të vazhdueshme. Ky trend është rezultat i zgjatjes së jetëgjatësisë dhe përmirësimit të ndjeshëm të trajtimeve, që lidhet drejtpërdrejt me rritjen e investimeve për pacient dhe aplikimin e terapive bashkëkohore (imunoterapi, terapi e targetuar etj.).

Kanceri i gjirit (C50)

  • Prevalenca: nga 5.072 pacientë në vitin 2020 në 7.038 në vitin 2025 (rritje prej 38,8 %); 
  • Raste të reja: ndërmjet 800 dhe 1.000 në vit; 
  • Investime për pacient: nga 42.586 denarë (694 euro) në vitin 2020 në 155.582 denarë (2.538 euro) në vitin 2025 (rritje prej 265 % ose 3,65 herë); 
  • Mbijetesa mesatare: rreth 7 vjet (vlerësim në bazë të raportit prevalencë/incidencë). 

Kanceri i mushkërive (C34)

  • Prevalenca: nga 1.265 pacientë në vitin 2020 në 1.743 në vitin 2025 (rritje prej 37,8 %); 
  • Raste të reja: ndërmjet 600 dhe 700 në vit; 
  • Investime për pacient: nga 14.378 denarë (234 euro) në vitin 2020 në 470.441 denarë (7.668 euro) në vitin 2025 (rritje prej 3.172 % ose 32,7 herë); 
  • Përfshirja me imunoterapi: e rritur nga 11,1 % në vitin 2021 në 48,5 % në vitin 2025; 
  • Mbijetesa mesatare: mbi 2 vjet. 

Melanoma (C43)

  • Prevalenca: nga 237 pacientë në vitin 2020 në 514 në vitin 2025 (rritje prej 116,9 %); 
  • Raste të reja: nga 63 në vitin 2020 në 174 në vitin 2025 (rritje prej 176 %); 
  • Investime për pacient: nga 129.485 denarë (2.112 euro) në vitin 2020 në 1.059.413 denarë (17.282 euro) në vitin 2025 (rritje prej 718 % ose 8,18 herë); 
  • Mbijetesa mesatare: rreth 3 vjet. 

Analizat tregojnë një lidhje të qartë dhe të fortë ndërmjet investimeve për pacient dhe numrit total të pacientëve që jetojnë më gjatë, veçanërisht te kanceri i gjirit dhe i mushkërive, ndërsa më e theksuar te melanoma.

Një numër gjithnjë e më i madh pacientësh jetojnë më gjatë dhe me cilësi më të mirë të jetës, me ç’rast disa sëmundje malinje gradualisht transformohen në gjendje kronike.

Investimet financiare në KURO

Në periudhën nga 2010 deri në 2020, buxheti i KURO ka lëvizur ndërmjet 8 dhe 12 milionë euro.

Buxheti për vitin 2026 është rreth 3,5 miliardë denarë, përkatësisht afërsisht 57 milionë euro, që paraqet:

  • rritje prej 15,5 % në krahasim me vitin 2025 dhe 
  • rritje të konsiderueshme prej 73,6 % në krahasim me vitin 2023. 

Përveç kësaj, për vitin 2026 parashihet rritje e buxhetit për barna në onkologji për 14,38 % në krahasim me vitin paraprak.

Risi në terapi

  • Aplikimi i dy barnave të reja për kancerin e gjirit me mutacion PIK3CA; 
  • Rritja e përfshirjes me inhibitorë CDK 4/6 për rreth 50 %; 
  • Aplikimi i një terapie të gjeneratës së re (ARI) për kancerin e prostatës me përfshirje të rritur prej rreth 80 %; 
  • Rritja e përfshirjes me imunoterapi për rreth 10 %. 

Në vitin 2025, për herë të parë u aplikuan gjashtë barna të reja (ipilimumab, avelumab, durvalumab, dabrafenib, trametinib dhe darolutamide), ndërsa me dy barnat shtesë në vitin 2026, numri total i terapive të sapoaplikuara arrin në tetë në një periudhë prej dy vitesh.

Metodë e re

Në kuadër të përmirësimit të trajtimit, është aplikuar radioterapia stereotaksikemoderne, si teknikë me precizion të lartë për trajtimin e lezioneve specifike të trurit, e cila mundëson rezultate më të mira klinike dhe përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetës së pacientëve.

Këto aktivitete paraqesin pjesë të qasjes gjithëpërfshirëse për përmirësimin e kujdesit onkologjik, me fokus jo vetëm në trajtim, por edhe në diagnostikimin e hershëm, hulumtimet gjenetike, parandalimin dhe zbulimin në kohë të sëmundjeve.

Me respekt,
ISHP Klinika Universitare e Radioterapisë dhe Onkologjisë
Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë