Njoftim
Fondi dhe Ministria e Politikës Sociale kanë siguruar një zgjidhje kalimtare: personat me aftësi të kufizuara do ta realizojnë të drejtën për lirimin nga pagesa e participimit përmes sistemit “Sigurimi im”.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor informon publikun se, në koordinim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, është vendosur një zgjidhje kalimtare për regjistrimin e të drejtës për lirimin nga pagesa e participimit për personat me aftësi të kufizuara, me qëllim që të sigurohet realizimi pa pengesa i të drejtave të tyre nga sigurimi shëndetësor.
Në përputhje me sistemin e krijuar, të dhënat për personat me aftësi të kufizuara që janë të liruar nga pagesa e participimit duhet të dërgohen në mënyrë elektronike nga sistemi i Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve dhe të regjistrohen automatikisht në sistemin elektronik të Fondit.
Megjithatë, për shkak të pamundësisë teknike momentale që këto të dhëna të dërgohen në mënyrë elektronike nga sistemi i Ministrisë në sistemin e Fondit, edhe pse sistemi i Fondit është plotësisht i gatshëm për t’i pranuar ato, në koordinim ndërinstitucional është vendosur një zgjidhje administrative kalimtare, me qëllim që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të mos vihen në pikëpyetje.
Në këtë drejtim, personat me aftësi të kufizuara do të marrin një vendim për lirimin nga pagesa e participimit, të lëshuar nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, përkatësisht nga Qendrat kompetente për Punë Sociale, në të cilin është i shënuar baza e lirimit.
Vendimin e lëshuar nga Qendrat kompetente për Punë Sociale, të siguruarit e dorëzojnë në Njësinë Rajonale të Fondit të Sigurimit Shëndetësor sipas vendbanimit të tyre, ose në një nga Njësitë Rajonale të Fondit, pas së cilës personat e autorizuar e regjistrojnë menjëherë këtë të dhënë në sistemin elektronik të Fondit.
Me futjen e kësaj të dhëne, lirimi nga pagesa e participimit bëhet automatikisht i dukshëm në sistemin elektronik “Sigurimi im”, në të cilin kanë qasje të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private, si dhe farmacitë.
Regjistrimi në sistemin “Sigurimi im” paraqet bazën zyrtare për veprim nga institucionet shëndetësore dhe barnatoret, të cilat kanë qasje të plotë në sistem dhe janë të detyruara të veprojnë sipas evidencës elektronike.
Kjo zgjidhje kalimtare do të jetë në fuqi derisa Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve të jetë në gjendje t’i dërgojë të dhënat për personat me aftësi të kufizuara në mënyrë elektronike në sistemin e Fondit, me ç’rast ato do të regjistrohen automatikisht në sistemin “Sigurimi im”.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor mbetet i përkushtuar për përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe për sigurimin e realizimit të pandërprerë dhe dinjitoz të të drejtave të të gjithë personave të siguruar.