Glaukoma nuk dhemb… por verbon!
Klinika për Sëmundje të Syve dhe institucione të tjera shëndetësore organizojnë matje falas të presionit të syrit me rastin e Javës Botërore të Glaukomës
Me rastin e Javës Botërore të Glaukomës (8–14 mars 2026), e cila këtë vit shënohet nën moton “Uniting for a Glaucoma-Free World” – “Së bashku për një botë pa glaukomë”, Klinika për Sëmundje të Syve, së bashku me më shumë institucione shëndetësore në mbarë vendin, organizon aktivitete për ngritjen e ndërgjegjësimit publik dhe për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.
Glaukoma, shpesh e quajtur “hajduti i heshtur i shikimit”, përbën një nga shkaqet kryesore të humbjes së pakthyeshme të shikimit në botë, por edhe te ne. Sëmundja më shpesh zhvillohet pa dhimbje dhe pa simptoma të theksuara në fazat e hershme. Kur shfaqen shenjat e para – si humbja e shikimit periferik – dëmtimi i nervit optik shpesh është tashmë i pakthyeshëm.
Të dhënat tregojnë se glaukoma përbën një sfidë serioze të shëndetit publik edhe në vendin tonë.
Në Maqedoni:
- Vlerësohet se rreth 20.000 persona jetojnë me glaukomë, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm rastesh ende nuk janë diagnostikuar.
- Vetëm në vitin 2025 janë regjistruar 109 hospitalizime për shkak të glaukomës, prej të cilave 96 në Klinikën për Sëmundje të Syve në Shkup.
- Në Klinikë janë kryer 80 ndërhyrje kirurgjikale të lidhura me trajtimin e kësaj sëmundjeje.
- Në vitin 2024, vetëm për dy barna kryesore nga lista pozitive – Timolol dhe Brinzolamide (Azopt) – janë lëshuar rreth 195.000 receta, në vlerë të përgjithshme prej mbi 47 milionë denarë.
Këto të dhëna e konfirmojnë më tej nevojën për zbulim të hershëm dhe parandalim të rregullt.
Rekomandim për qytetarët
Qytetarët që janë më të vjetër se 40 vjet, kanë histori familjare të glaukomës, diabet, miopi të lartë ose faktorë të tjerë rreziku, inkurajohen që me kohë të bëjnë kontroll oftalmologjik.
Matja e rregullt e presionit të syrit, kontrolli i fushës së shikimit dhe kontrolli i nervit optik janë kyçe për zbulimin në kohë të sëmundjes dhe parandalimin e humbjes së përhershme të shikimit.
Mos prisni simptoma – glaukoma nuk dhemb, por verbon.
Deklaratat e drejtorit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, z. Sasho Klekovski, dhe drejtoreshës së IPSH Klinikës Universitare për Sëmundje të Syve, Doc. dr Natasha Trpevska Shekerinov: