Dita Botërore e Obezitetit
Me rastin e Ditës Botërore të Obezitetit, sot në Galerinë Kombëtare “Çifte Hamam” u promovua fushata edukative kombëtare “Rrethi i mbështetjes – që pesha të bëhet më e lehtë”, në organizim të Shoqatës Shkencore për Obezitet OBEM, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Në këtë ngjarje u drejtua edhe drejtori i përgjithshëm i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, z. Sasho Klekovski, i cili theksoi se obeziteti përbën një nga sfidat më serioze shëndetësore të shoqërisë bashkëkohore.
“Obeziteti është sfidë shëndetësore e shekullit 21 dhe është ngushtë i lidhur me shprehitë e jetesës, pasivitetin fizik dhe mënyrën bashkëkohore të të ushqyerit. Prandaj Fondi i Sigurimit Shëndetësor i jep mbështetjen e tij të plotë kësaj fushate, qëllimi i së cilës është ngritja e ndërgjegjësimit publik dhe nxitja e dialogut shoqëror për parandalimin dhe përballjen me këtë problem shëndetësor në rritje”- theksoi Klekovski.
Përveç mbështetjes së fushatës, Fondi thekson edhe nevojën për debat të hapur shoqëror për dy faktorë të rëndësishëm që kontribuojnë në rritjen e obezitetit – konsumimi i tepërt i pijeve të ëmbëlsuara dhe ushqimit shumë të përpunuar (i ashtuquajturi “junk food”).
Në këtë drejtim, u theksua nevoja për shqyrtimin e mundësisë së vendosjes së tatimit për pijet e ëmbëlsuara me sheqer (SSB – Sugar Sweetened Beverage Tax), masë e cila gjatë dekadës së fundit është vendosur në më shumë se 110 vende në botë. Qëllimi i kësaj mase është ulja e konsumimit të pijeve me sheqer të shtuar, ndërsa mjetet e mbledhura nga ky tatim të drejtohen drejt programeve shëndetësore dhe aktiviteteve parandaluese.
Njëkohësisht, u ritheksua nevoja për ndalimin e shitjes së “junk food” në shkolla, si dhe nevoja për ridizajnimin e ushqimit shkollor, me prani më të madhe të ushqimit të freskët dhe të shëndetshëm. Gjithashtu, u theksua edhe rëndësia e mbështetjes së iniciativave siç janë kopshtet shkollore, të cilat kanë ndikim të rëndësishëm në formimin e shprehive të shëndetshme te fëmijët.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor siguron mbështetje edhe për trajtime bashkëkohore mjekësore për obezitetin, përfshirë edhe terapinë me barna dhe kirurgjinë bariatrike, por ekspertët theksojnë se këto trajtime mund të japin rezultate të qëndrueshme vetëm nëse shoqërohen me ndryshim afatgjatë të stilit të jetesës, shprehi të shëndetshme të të ushqyerit dhe aktivitet fizik të shtuar.
Fushata “Rrethi i mbështetjes – që pesha të bëhet më e lehtë” synon të rrisë ndërgjegjësimin publik për obezitetin si sëmundje kronike, të nxisë mbështetje më të madhe institucionale dhe shoqërore dhe të ndihmojë në krijimin e një mjedisi që i inkurajon qytetarët të udhëheqin një mënyrë jetese më të shëndetshme.
Videon nga ngjarja mund ta shikoni këtu.