Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Katër shërbime të reja elektronike të Fondit të Sigurimit Shëndetësor

Katër shërbime të reja elektronike të Fondit të Sigurimit Shëndetësor

Sot, e enjte, 22 janar 2026, në qendrën e mediave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, së bashku me drejtorin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski, mbajtën një pres-konferencë të përbashkët në të cilën zyrtarisht u prezantua lançimi i katër shërbimeve të reja elektronike të Fondit të Sigurimit Shëndetësor – tre të dedikuara për persona fizikë dhe një për persona juridikë. Shërbimet janë të disponueshme përmes Portalit Kombëtar të Shërbimeve Elektronike – uslugi.gov.mk.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, theksoi se digjitalizimi paraqet një proces të vazhdueshëm, dhe jo aktivitet i njëhershëm. 

“Sot shënojmë fillimin e një bashkëpunimi të frytshëm me Fondin e Sigurimit Shëndetësor – institucion kryesor në sistemin shëndetësor. Shërbimet e reja elektronike e thjeshtësojnë qasjen në dokumentet e rëndësishme, e zvogëlojnë ngarkesën administrative, e eliminojnë pritjen e panevojshme dhe prezencën fizike në sportele. Është shumë e rëndësishme që për herë të parë mundësohet shërbim i plotë digjitalizimi, i disponueshëm 24/7, për vërtetim për kontribut të paguar për sigurim të detyrueshëm shëndetësor për persona juridikë. Ky është modeli i vërtetë i transformimit digjital: institucione që bashkëpunojnë, sisteme që ndërlidhen dhe shërbime që punojnë në dobi të qytetarëve dhe bizneseve”
  - theksoi Andonovski.

Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Sasho Klekovski, theksoi se Ministria e Transformimit Digjital siguron mjete kryesore (“key enablers”) që mundësojnë digjitalizim të shpejtë, të standardizuar dhe ekonomik.

“Fondi i Sigurimit Shëndetësor i shfrytëzon të gjitha komponentat që i ofron Ministria e Transformimit Digjital – sistemi për interoperabilitet, identifikim elektronik (eID) dhe Kutia Kombëtare Elektronike. FSSH është i ndërlidhur me të dhëna me APRM, DULA, MPSDR, ka lidhje të drejtpërdrejtë me DAP dhe ‘Termini Im’, ndërsa prej sot është ndërlidhur edhe me Regjistrin Qendror të Popullsisë. Kjo na mundëson të dhëna në kohë dhe të përditësuara për personat e siguruar dhe planifikim më të mirë të masave. Më shumë se 250.000 përdorues do të munden me eID të qasen në portalin e FSSH-së dhe në mënyrë elektronike të parashtrojnë kërkesa për të drejta dhe shërbime”
  - theksoi Klekovski.

Shërbimet e reja elektronike që prej tani janë të disponueshëm:

  • Vërtetim për lajmërime dhe çlajmërime në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor  (për persona fizikë)
  • Vërtetim për persona të siguruar/të pasiguruar dhe kontribut të paguar (për persona fizikë)
  • Vërtetim për kompensim të paguar të pagës gjatë kohës së ndërprerjes së përkohshme nga puna (për persona fizikë)
  • Vërtetim për kontribut të paguar për sigurim të detyrueshëm shëndetësor (për persona juridikë –shërbim i plotë digjital, i disponueshëm 24/7, për herë të parë e mundësuar në mënyrë elektronike)

Kjo paraqet vazhdimin e procesit të digjitalizimit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Tashmë janë në funksion proceset digjitale për institucionet shëndetësore publike dhe private, si dhe shërbime të ndërlidhura me fekondimin e asistuar biomjekësor (in vitro – FAB). 

Në fazë përfundimtare është edhe projekti e-receta, për të cilin pritet të finalizohet plotësisht së shpejti.

Dhjetëra procese të tjera digjitale janë gjithashtu në një fazë të avancuar, duke përfshirë: rimbursimin e shpenzimeve, përjashtimin nga participimi, trajtimin jashtë vendit, pajisjet ortopedike, të drejtat e lehonisë, si dhe shërbime të tjera me rëndësi për personat e siguruar.