Nënshkrimi i marrëveshjes për analiza molekulare-diagnostike me FSHMN
Sot Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSH) nënshkroi marrëveshje me Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup për kryerjen e analizave molekulare-diagnostike.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, z. Sasho Klekovski, dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, z. Davorin Trpeski.
Laboratori për Biologji Molekulare dhe Gjenomikë pranë FSHMN-së është një nga laboratorët më modernë në vend. Ai disponon pajisje të avancuara për analiza molekulare-diagnostike, përfshirë edhe sekuencimin e gjeneratës së re (NGS).
Qëllimi i parë në këtë moment është zgjerimi i rrjetit dhe rritja e kapacitetit për analiza onkologjike, përkatësisht për përcaktimin e saktë dhe të shpejtë të mutacioneve gjenetike që janë kyçe për përzgjedhjen e terapisë onkologjike të synuar. Pajisjet më bashkëkohore dhe kuadri profesional me përvojë shumëvjeçare do të kontribuojnë në përgjigjen më efikase ndaj nevojës së shtuar për analiza onkologjike në sistemin shëndetësor dhe do të përfaqësojnë mbështetje të rëndësishme për kapacitetet ekzistuese.
Qëllimi i dytë është që, si institucion arsimor dhe shkencor nga fusha e biologjisë molekulare dhe gjenetikës, FSHMN me këtë marrëveshje do t’u mundësojë studentëve dhe të punësuarve mundësi më të mëdha për zbatimin praktik të njohurive të fituara.
Me këtë marrëveshje zgjerohet rrjeti kombëtar për shërbime molekulare-diagnostike, që paraqet një hap të rëndësishëm përpara për sistemin shëndetësor në vend.
Aktualisht, Fondi ka marrëveshje për analiza NGS me institucionet e mëposhtme:
- Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve (MANU) - kryesisht për sëmundje të rralla dhe trashëguese,
- Fakulteti i Mjekësisë - Instituti i Patologjisë - kryesisht për onkologji,
- Fakulteti i Mjekësisë - Instituti i Imunologjisë - kryesisht për imunodefiçienca dhe transplantime,
- Fakulteti i Mjekësisë - Instituti i Mjekësisë Ligjore - kryesisht për forenzikë,
- Fakulteti i Farmacisë - kryesisht për hematologji dhe onkologji,
- Instituti i Shëndetit Publik - kryesisht për virologji.
Analiza NGS kryejnë edhe laboratorë privatë, si dhe Fakulteti i Veterinarisë.
| Kategoria | 2023 | 2024 | 2025 (jan. - tet. ) | Projeksioni 2025 |
| Fakulteti i Mjekësisë - IP | 787 paketa 23.023.600 den. | 304 paketa 12.227.400 den. | 524 paketa 17.906.300 den. | 629 paketa 21.487.560 den. |
| MANU | 385 paketa 23.257.300 den. | 640 paketa 40.475.000 den. | 577 paketa 33.338.000 den. | 692 paketa 40.005.600 den. |
| Të tjera | 2 paketa 120.000 den. | 1 paketë 41.000 den. | 87 paketa 4.275.700 den. | 104 paketa 5.130.840 den. |
| Gjithsej | 1.174 paketa 46.400.900 den. | 945 paketa 52.743.400 den. | 1.188 paketa 55.520.000 den. | 1.426 paketa 66.624.000 den. |
Tabela 1. Pasqyrë e numrit të analizave (paketave) dhe buxhetit për NGS (onkologji dhe sëmundje të rralla)
Numri i shërbimeve në vitin 2025 (projeksion) është rritur për rreth 22 % në krahasim me vitin 2023, ndërsa buxheti është rritur për mbi 40 %, gjë që mundëson hulumtime gjenetike më të plota dhe më komplekse.
Avancohet diagnostikimi për kancer, me qëllim sukses më të madh në trajtim.
Kjo marrëveshje paraqet fillimin e bashkëpunimit më të gjerë. Me FSHMN po diskutohet për futjen e shërbimeve të reja, përfshirë edhe diagnostikimin gjenetik para implantimit (PGD) te shtatzënia me fekondim të asistuar biomjekësor (FAB). Bëhet fjalë për analizë të disa qelizave të embrionit para vendosjes së tij në mitër, me qëllim përzgjedhjen e embrioneve pa mutacione patologjike. Me këtë zvogëlohet ndjeshëm rreziku nga paraqitja e disa sëmundjeve të lindura dhe rritet mundësia për shtatzëni të suksesshme.