Më shumë mjekë për zonat rurale
Fondi i Sigurimit Shëndetësor, pas marrjes së udhëheqësisë së re, ndër aktivitetet e tij të para dhe prioritare, në bashkëpunim me Shoqatën e Mjekëve Privatë, ka vendosur përmirësimin e kushteve të punës së mjekëve amë në zonat rurale. Në këtë drejtim, është rritur kompensimi për këta mjekë dhe është mundësuar funksionimi i ordinancave me një ekip të paplotë. Gjithashtu, është rritur me një shifër historike prej 33% edhe kapitacioni i mjekëve amë, si një hap drejt forcimit të kujdesit shëndetësor primar.
Të udhëhequr nga parimi i qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor për të gjithë personat e siguruar, Fondi ka filluar aktivitetet për ndryshimin e Rregullores mbi mënyrën e pagesës për shërbimet e kujdesit shëndetësor në kujdesin shëndetësor primar. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është krijimi i kushteve të favorshme për hapjen dhe funksionimin e ordinancave në zonat rurale, gjë që do të inkurajojë mjekët të punojnë në këto zona dhe do të sigurojë kujdes shëndetësor me cilësi më të mirë dhe më të arritshëm për banorët.
Aktualisht, nga 96 mjekë amë të planifikuar në zonat rurale, 44 janë funksionalë dhe 52 mungojnë.
Fondi ka qëllim të zbatojë ndryshime në Rregullore, do të mundësojnë liberalizim shtesë të kritereve, heqjen e pengesave ekzistuese dhe lehtësimin e hapjes së ordinancave të reja në zonat rurale ku ato janë më të nevojshme.
Në kuadër të kësaj iniciative, Fondi i fton: mjekët amë që tashmë punojnë në ordinancat rurale; mjekët e interesuar të punojnë në zonat rurale, por të kufizuar nga kushtet aktuale në Rregullore; dhe banorët e zonave rurale, t’i dorëzojnë mendimet, propozimet dhe sugjerimet e tyre për ndryshime në Rregullore.
Propozimet mund të dërgohen deri në 1 nëntor 2025 në e-adresën: [email protected]. Të gjitha propozimet e pranuara do të shqyrtohen me kujdes nga një komision i posaçëm përgjegjës për përgatitjen e ndryshimeve.
Nëse ato janë në përputhje me rregulloret ligjore, propozimet do të përfshihen në Rregulloren e re ose do të shërbejnë si bazë për ndryshime në rregulloret ligjore.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor mbetet i përkushtuar në krijimin e kushteve për kujdes shëndetësor të drejtë, të disponueshëm dhe cilësor për të gjithë qytetarët!
Me respekt,
Fondi i Sigurimit Shëndetësor