Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Nënshkruhet aneks për shkëmbim më të shpejtë dhe më efikas të të dhënave midis FSSH-së dhe DAP-it

Nënshkruhet aneks për shkëmbim më të shpejtë dhe më efikas të të dhënave midis FSSH-së dhe DAP-it

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FSSH), të udhëhequr nga drejtorët Elena Petrova dhe Sasho Klekovski, nënshkruan aneks të Protokollit për shkëmbim elektronik të të dhënave. 

Ky aneks është i pari pas nënshkrimit të Protokollit origjinal në vitin 2012 dhe paraqet një hap të rëndësishëm pas një pauze prej 13 vitesh, avancon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. 

Përfitime kyçe: 

  • Përditësim në kohë i të dhënave për kontributet e papaguara

Dorëzim mujor i të dhënave për kontributet e papaguara për sigurimin shëndetësor, individualisht sipas obliguesve për përllogaritje dhe pagesë, si dhe sipas obliguesve për pagesë. (Deri më tani merreshin të dhëna vetëm për kontributet e paguara). Të dhënat sigurohen nga përllogaritjet e dorëzuara dhe të papaguara nga personat juridikë, ushtruesit e pavarur të veprimtarisë, bujqit individualë dhe personat zyrtarë fetarë.

Kjo do të sigurojë informim në kohë dhe përditësim të të dhënave që do të parandalojë ndërprerje të paparalajmëruara në sigurimin shëndetësor. Për shkak të gabimeve dhe dallimeve në pagesa, sistemi automatikisht e ndërpret sigurimin shëndetësor, gjë që personat e siguruar e kuptojnë kur përpiqen të përdorin shërbime shëndetësore.

  • Zgjidhja e borxheve të vjetra

Do të vendoset dorëzim vjetor i të dhënave për kontributet e paarkëtuara dhe të vjetruara për arkëtim. Këto të dhëna do të dorëzohen më së voni deri më 31 janar për vitin paraprak.

Kjo do të sigurojë shlyerje vjetore të kërkesave të vjetruara (mbi 10 vjet) dhe do ta zgjidhë problemin e personave të siguruar që kanë detyrime të vjetruara, ndërsa tani janë pagues të rregullt. Deri më tani ata nuk mund të realizonin sigurim shëndetësor për shkak të kërkesës për vazhdimësi në pagesë.

  • Integrimi me “e-tatime”

Fondi do të marrë të dhëna në kohë reale për të ardhurat (Vërtetime për të ardhurat e realizuara për vitin paraprak) për personat që dëshirojnë të paraqiten në Fond si persona me të ardhura më të ulëta, për të cilët kontributin e paguan Ministria e Shëndetësisë.

Ky është hapi i parë në parandalimin e keqpërdorimeve të kësaj të drejte për sigurim shëndetësor. Deri më tani e drejta realizohej me vetëdeklarim.

Këto ndryshime sigurojnë shërbime më të shpejta, më transparente dhe më të arritshme, duke reduktuar barrierat burokratike për qytetarët. FSSH dhe DAP vazhdojnë me digjitalizimin për administratë më efikase në dobi të të gjithëve.