Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

FSSHRMV: Fondi me seriozitet i trajton vërejtjet e ESHR-së në raportin përfundimtar, dhe në vazhdimësi vepron në zbatimin e tyre

FSSHRMV: Fondi me seriozitet i trajton vërejtjet e ESHR-së në raportin përfundimtar, dhe në vazhdimësi vepron në zbatimin e tyre

Sa i përket pyetjeve gazetareske lidhur me Raportin e revizionit të Entit Shtetëror të Revizionit, Fondi i Sigurimit Shëndetësor njofton opinionin se në tërësi dhe në vazhdimësi vepron pas raportit të revizionit të punës së Fondit. Raporti në masë të madhe e lehtëson detektimin e problemeve dhe i mundëson Fondit të përqendrohet në largimin e tyre, me çka do të mundësohet zhvillimi i punës, por edhe rritja e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore që Fondi i siguron për qytetarët.

Në vazhdim, Fondi i dorëzon informacionet në vijim të cilat kanë të bëjnë me vërejtje të caktuara në raportin për punën e Fondit. 

Lidhur me vërejtjen për mosplotësimin e vendeve udhëheqëse të punës, Fondi çdo vit plotëson punësime të reja përmes shpalljeve publike dhe interne, në bazë të Planit të punësimit të Fondit. Sipas kësaj, sa i përket vitit 2021, i cili është viti që i përket raportit të ESHR-së, nga Fondi janë larguar 54 të punësuar, janë emëruar dy drejtorë sektorësh dhe janë punësuar 14 persona të rinj, prej të cilëve 9 janë vende udhëheqëse. Krahasimisht, në vitin 2022, në pajtim me Planin për punësim për të njëjtin vit, janë planifikuar vende të lira pune përmes pensionimit dhe largime të paralajmëruara për 79 të punësuar, ndërsa ka 79 punësime të reja, prej të cilave 12 janë vende udhëheqëse. Me këtë, Fondi në vazhdimësi vepron lidhur me vërejtjen e ESHR-së për mosplotësimin e vendeve të punës.

Lidhur me vërejtjen për aktivitetet kontrolluese gjatë realizimit të të drejtave nga sigurimi shëndetësor, sqarojmë se aktivitetet kontrolluese që i vëren ESHR-ja janë lëndë dhe punë e organeve hetimore. Fondi zbaton kontroll në bazë të parametrave të përcaktuar me ligj dhe nuk ka kompetenca hetimore.

Lidhur me kontrollet sistemike dhe manuale në procesin e përshkrimit dhe dhënies së barnave, Fondi i konstatoi mangësitë. Nga 01.04.2021 në sistemin informatik të Fondit janë vendosur ndryshime të aplikacionit, me çka gjatë validimit elektronik të të dhënave nga faturat për recetat, është vendosur kontroll sistemik i numrit unik të recetës, i cili është e dhënë e detyrueshme. Me kontrollin e numrit unik të recetës pamundësohet që i njëjti të paraqitet më shumë herë për çdo faturë veçmas.
 

  • Përveç kësaj, më 13.10.2021, të gjitha Njësitë Rajonale të Fondit u ngarkuan për kryerjen e kontrollit shtesë të zërave të recetave të cilat në sistemin informatik të Fondit u paraqitën me të njëjtin numër unik të recetës më shumë se një herë, dhe të cilat kanë të bëjnë me receta për narkotikë dhe terapi akute. Nga ana e Njësive Rajonale, është kryer zvogëlim i shumave të konstatuara si të pavlefshme. 
  • Pas këtij aktiviteti, Fondi mundësoi lidhjen me sistemin Termini im dhe marrjen e të dhënave të fituara nga i njëjti. Gjithashtu vendosi mekanizma shtesë kontrollues që filluan të përdoren për faturat e recetave nga prilli i vitit 2022. Rezultati i këtij kontrolli dhe lidhjeje është pamundësimi i pagesës së recetave të pavlefshme. 
  • Në fund, Fondi në vitin 2022 e përfundoi procedurën e prokurimit për shërbime të marrjes me qira të cloud-it për qendër primare dhe sekondare të të dhënave, në të cilën do të vendoset softueri i dedikuar për përshkrimin, dhënien dhe faturimin e recetave. Me këtë hap, Fondi do të vendosë kontroll të dhënies së barnave në kohë reale, siç është shënuar edhe në vetë raportin përfundimtar të ESHR-së për vitin 2021, dorëzuar më 23 janar 2023. 

 
Lidhur me funksionimin e sistemit IT të Fondit, raporti përfundimtar për revizionin e kryer nga revizorët e Entit Shtetëror të Revizionit, dorëzuar më 23 janar 2023, përkatësisht muajin e kaluar, tregon se:

Gjatë vitit 2022 është nisur procedurë për prokurim publik të shërbimeve për marrjen me qira të cloud-it privat për qendër primare dhe sekondare të të dhënave në Fond dhe migrim të aplikacioneve dhe të dhënave, me të cilat pritet që gjendja të tejkalohet

Prokurimi publik është shpallur më 30.09.2022, ndërsa kontrata është lidhur më 09.12.2022, me ç’rast kompania e përzgjedhur filloi me punë nga 1 janar 2023. Sipas planit dhe specifikimit, faza e parë, përkatësisht migrimi i infrastrukturës sistemike, duhet të realizohet në shkurt, ndërsa pas kësaj faze do të fillonte migrimi i infrastrukturës aplikative dhe të të dhënave.

Sa i përket vërejtjes për shqiptimin e dënimeve kontraktuale, Fondi njofton se konstatimi ka të bëjë me vitet 2020 dhe 2021, kur ISHP-të dhe IPSH-të funksiononin në kushte pandemie dhe kur ekzistonin dënime kontraktuale të mbetura. Me formimin e Komisioneve të reja në vazhdimësi u punua për pastrimin e ngecjes, ndërsa kjo gjendje po tejkalohet. 

Për vërejtjen për miratimin dhe realizimin e kompensimit të kushtëzuar në ISHP, Fondi për nevojat e ISHP-ve miraton buxhete të kushtëzuara rreptësisht për prokurime të dedikuara (për shembull, prokurim i barnave që nuk janë në listën pozitive, por janë të domosdoshme për trajtimin e pacientëve). Në vitin 2022 ka praktikë të ndryshuar në të cilën mjetet paguhen pas paraqitjes së faturës për prokurimin e barit konkret, me qëllim që të sigurohet kontroll maksimal, në pajtim me udhëzimet paraprake të ESHR-së. 

Lidhur me vërejtjen gjatë pagesës së kompensimeve për pushim të lehonisë, Fondi e ka konstatuar në mënyrë të pavarur këtë mangësi. Bëhet fjalë për periudhën në vitin 2020 dhe në vitin 2021 në kushte pandemie, me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në të cilin u vazhdua pushimi mjekësor i lehonisë në kushte pandemie. Gjatë vazhdimit, një numër i caktuar punëdhënësish nuk njoftuan se një pjesë e lehonave ishin kthyer në marrëdhënie të rregullt pune, dhe me këtë një pjesë e lehonave merrnin edhe pushim mjekësor të lehonisë edhe kompensim të rregullt mujor. Gjatë konstatimit të këtij problemi, Fondi ka vepruar menjëherë, me çka pjesa më e madhe e punëdhënësve i kanë korrigjuar kompensimet e rregullta mujore, ndërsa te ata ku kjo gjendje nuk është korrigjuar (që janë rreth 60 në numër) është vepruar individualisht, për të tejkaluar problemin. 


Siç shënon edhe raporti përfundimtar i revizionit të ESHR-së, dorëzuar më 23 janar 2023, e që ka të bëjë me revizionin për vitin 2021 “gjatë revizionit nga ana e Fondit janë ndërmarrë aktivitete:

  • vendosja e kontrolleve automatike në modulin për pushim mjekësor
  • rikontrolli i të gjitha pagesave ku njëkohësisht është kryer pagesa e pagës nga punëdhënësi dhe kompensimi i pagës për pushim të lehonisë
  • organizimi i një takimi pune me përfaqësues të DAP-it me qëllim përshtatjen e zgjidhjes softuerike për arkëtim të integruar të kontributeve

Për vërejtjen në procedurën për udhëzim për trajtim jashtë vendit, siç shënon edhe raporti përfundimtar i revizionit të ESHR-së, dorëzuar më 23 janar 2023, e që ka të bëjë me revizionin për vitin 2021, “Në gusht të vitit 2022 është miratuar rregullore për mënyrën e shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore të personave të siguruar jashtë vendit, me të cilën, ndër të tjera, është rregulluar lidhja e kontratave me institucionet shëndetësore jashtë vendit, kriteret dhe procedura për përzgjedhjen e tyre, me të cilat është përfshirë edhe mënyra e shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore në IPSH në RMV” Me këtë rregullore në tërësi tejkalohet vërejtja e ESHR-së. 

Sa i përket vërejtjes për gjendjen e një pjese të detyrimeve në raportet financiare, për shkak të mekanizmave kontrollues të vendosur nga Fondi për kryerjen e procesit të kontrollit të faturave, paraqitet një dallim kohor nga pranimi deri te evidentimi, por i njëjti nuk ndikon në afatin përfundimtar të pagesës së faturës. Ky parim nuk është i zakonshëm, por paraqet mbrojtje shtesë gjatë pagesës së mjeteve të Fondit.

Lidhur me sigurimin e të gjitha shërbimeve shëndetësore për personat e siguruar, Fondi ka lidhur kontrata me të gjitha IPSH-të që kanë marrë aktvendim për hyrje në rrjet nga Ministria e Shëndetësisë dhe kanë dorëzuar kërkesë në Fond për lidhjen e kontratave për hyrje në rrjet. Ajo procedurë është përcaktuar me Ligjin për mbrojtje shëndetësore dhe Ligjin për sigurim shëndetësor.