Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Ministria e Shëndetësisë dhe FSSH hapën një dialog të gjerë për avancimin e sistemit të menaxhimit të pushimeve mjekësore

Ministria e Shëndetësisë dhe FSSH hapën një dialog të gjerë për avancimin e sistemit të menaxhimit të pushimeve mjekësore

Sot, 23 korrik 2026, në ambientet e Qeverisë, në organizim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimit Shëndetësor, u mbajt punëtoria „Fuqizimi i menaxhimit të pushimeve mjekësore“, në të cilën morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, institucioneve, institucioneve shëndetësore, komunitetit të mjekëve, sindikatave, odave ekonomike dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në fokus të diskutimit ishin mundësitë për fuqizimin e sistemit të menaxhimit të pushimeve mjekësore përmes procedurave më të qarta, mekanizmave më efikasë të kontrollit dhe zgjidhjeve që do të sigurojnë ekuilibër ndërmjet mbrojtjes së të drejtave të personave të siguruar dhe menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor.

Në fjalën e tij hyrëse, drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, mr. Zllatko Perinski, e theksoi rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse dhe të debatit të hapur profesional në krijimin e zgjidhjeve të ardhshme.

„Besoj se një qasje e këtillë gjithëpërfshirëse dhe debati i hapur profesional janë thelbësore për krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe të zbatueshme që do të kontribuojnë për një sistem shëndetësor më efikas.“
  – theksoi drejtori Perinski.

Në kuadër të punëtorisë pati prezantim edhe ministri i Shëndetësisë dr. Sasho Klekovski, i cili iu referua nevojës për qasje sistematike në avancimin e menaxhimit të pushimeve mjekësore dhe rëndësisë së analizave profesionale, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përvojave ndërkombëtare në krijimin e politikave të ardhshme.

Drejtoresha e Sektorit për Kontroll pranë Fondit të Sigurimit Shëndetësor, dr. Silvana Andov, prezantoi analizën „Fuqizimi i menaxhimit të pushimeve mjekësore“, me ç'rast paraqiti gjendjen aktuale në sistem, treguesit statistikorë, sfidat e identifikuara dhe drejtimet e mundshme për avancimin e tij. 

Margarita Spasenovska, përfaqësuese e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prezantoi një analizë krahasuese të kritereve për lëshimin e pushimeve mjekësore në vendin tonë, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në vendet e rajonit, me vështrim të veçantë mbi praktikat bashkëkohore evropiane, vlerësimin funksional të aftësisë për punë, digjitalizimin e proceseve dhe mbrojtjen e të drejtave të personave të siguruar.

Përvojat praktike nga sistemi slloven i prezantoi Mihaela Pintar, këshilltare e lartë juridike në Entin e Sigurimit Shëndetësor të Sllovenisë, e cila iu referua kornizës ligjore, organizimit të sistemit, kontrolleve mjekësore dhe administrative, digjitalizimit të procedurave dhe rezultateve të arritura.

Në punëtori u prezantua edhe shembulli rajonal eBolovanje, si model për digjitalizimin e procedurave, menaxhimin e centralizuar dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet institucioneve, me qëllim efikasitet më të madh, transparencë dhe menaxhim më cilësor të sistemit të pushimeve mjekësore.