FSSH ul çmimet e testimit HPV dhe citologjisë PAP likuide
Më shumë gra do të kenë qasje në zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës
Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë (FSSH) mori vendim për ulje të konsiderueshme të çmimeve referente të dy shërbimeve kryesore diagnostikuese në kuadër të programit për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës – gjenotipizimit HPV dhe citologjisë PAP likuide. Masa tashmë është në fuqi dhe kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e numrit të testimeve të disponueshme dhe përmirësimin e qasjes së grave në kujdes shëndetësor preventiv.
Ulja e çmimeve dhe participimit
Gjenotipizimi HPV – çmimi referent ulet nga 5.500 në 3.310 denarë, përkatësisht për 39,8%. Participimi që paguan pacienti ulet nga 550 në 350 denarë.
Citologjia PAP likuide – çmimi referent ulet nga 2.200 në 1.250 denarë, përkatësisht për 43,2%. Participimi ulet nga 250 në 150 denarë.
Testi konvencional PAP mbetet me çmimin ekzistues prej 600 denarësh, pa ndryshim.
Më shumë teste për të njëjtin buxhet
Revizioni i çmimeve është përllogaritur në bazë të shërbimeve realisht të faturuara në vitin 2025. Analiza tregon se, me ruajtjen e të njëjtit nivel financimi, numri i testimeve të disponueshme rritet ndjeshëm:
- Testimi HPV: nga 13.466 teste në 22.375 teste në vit – rritje prej 8.909 testesh (+66,2%)
- Citologjia PAP likuide: nga 2.427 teste në 4.271 teste në vit – rritje prej 1.844 testesh (+76,0%)
Kjo do të thotë se për të njëjtin investim financiar, një numër dukshëm më i madh grash do të mund të përfshihet në skrining, përfshirë edhe gratë që deri më tani, për arsye financiare, nuk u janë qasur këtyre kontrolleve preventive.
Zbulimi i hershëm shpëton jetë
Kanceri i qafës së mitrës është një nga sëmundjet malinje që mund të parandalohen dhe trajtohen me sukses nëse zbulohen në kohë. Kur sëmundja diagnostikohet në fazë të hershme, shkalla e trajtimit të suksesshëm dhe mbijetesës është dukshëm më e lartë.
Testimi HPV dhe skriningu citologjik paraqesin mjete kyçe për zbulimin në kohë të ndryshimeve prekanceroze dhe kancerit në stad të hershëm, duke mundësuar ndërhyrje në kohë dhe rezultate më të mira shëndetësore.
“Me këtë masë jo vetëm që i ulim shpenzimet për personat e siguruar, por krijojmë kushte që një numër dukshëm më i madh grash të përfshihen në testime moderne preventive. Qëllimi ynë është që mjetet që i siguron Fondi të përdoren në mënyrë më efikase, ndërsa shërbimet shëndetësore të jenë më të qasshme për qytetarët. Zbulimi i hershëm i sëmundjeve shpëton jetë dhe për këtë arsye investimi në parandalim mbetet një nga prioritetet tona”, theksoi drejtori i përgjithshëm i FSSH-së, z. Sasho Klekovski.
Harmonizimi i Shifrarnikut të barnave dhe sigurimi i vazhdimësisë së terapisë
Në brifingun e sotëm u informua edhe për ndryshimet në Shifrarnikun e barnave që kanë të bëjnë me barnat që përmbajnë substancën aktive topiramat, të dedikuar për trajtimin e epilepsisë dhe gjendjeve të tjera neurologjike.
Me kërkesë të bartësve të lejes për vendosje në qarkullim, nga Shifrarniku i barnave me vlefshmëri nga 1 maj 2026 janë fshirë barnat EPIRAMAT (prodhues PLIVA) dhe TIRAMAT (prodhues BELUPO).
Me qëllim që të sigurohet disponueshmëri e pandërprerë e terapisë për personat e siguruar, në shifrarnikun e ri që është në përgatitje do të përfshihet bari TIRAMAT (25 mg, 50 mg dhe 100 mg), prodhues FARMAVITA, i siguruar përmes importit intervenues.
Me këtë sigurohet vazhdimësia në trajtim dhe qasje e pandërprerë në terapi për pacientët që e përdorin këtë bar.
Në shtojcë
Në shtojcë të këtij njoftimi dorëzojmë linkun nga konferenca e sotme për shtyp.
Shënim për redaktorët
Çmimet e rishikuara të gjenotipizimit HPV janë në fuqi nga 01.05.2026, ndërsa të citologjisë PAP likuide nga 09.06.2026.
Analiza financiare është përgatitur në bazë të shërbimeve të faturuara në vitin 2025 në rrjetin e institucioneve shëndetësore publike dhe private, si dhe në Fakultetin e Mjekësisë.
Analiza e hollësishme financiare është e disponueshme me kërkesë.