Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Kumtesë për media

Kumtesë për media

Në ambientet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë u mbajt panel-diskutim me rastin e rritjes historike të pikës së kapitacionit në kujdesin shëndetësor primar, që përfshin mjekët amë nga fusha e mjekësisë së përgjithshme, gjinekologjisë dhe stomatologjisë së përgjithshme.

Moderatore e panel-diskutimit ishte zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. Në diskutim morën pjesë drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë, z. Sasho Klekovski, kryetarja e Shoqatës së Mjekëve Privatë të Maqedonisë (SHMPRM), dr. Lilija Çollakova-Dervishova, prof. dr. Irena Aleksioska-Papestiev, drejtoreshë e Klinikës Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri, si dhe z. Loran Strashevski, stomatolog amë.

Drejtori Klekovski theksoi se me këtë rritje të rëndësishme të pikës së kapitacionit përfshihen mbi 2.000 kontrata të lidhura, prej të cilave rreth 200 janë me gjinekologë amë, ndërsa pjesa më e madhe u referohet mjekëve amë të mjekësisë së përgjithshme dhe stomatologjisë së përgjithshme. Gjithsej janë përfshirë mbi 2.500 mjekë amë.

“Në dekadën e kaluar shënojmë stagnim dhe ulje të numrit të mjekëve amë - vetëm në vitin 2024 ka 30 më pak në krahasim me 2023. Me këtë masë ndërhyjmë për dy arsye thelbësore: ta ndalim rënien e numrit të mjekëve amë dhe ta përmirësojmë cilësinë e shërbimeve në shëndetësinë primare. Jemi të inkurajuar edhe nga rekomandimet e OBSH-së se shteti ndan mjete të konsiderueshme për trajtim spitalor, ndërsa investimet në parandalim janë të pamjaftueshme”
- theksoi Klekovski.

Prof. dr. Irena Aleksioska-Papestiev e theksoi rëndësinë e këtij investimi, i cili do të mundësojë motivim dhe angazhim më të madh të gjinekologëve amë në zbatimin e programeve të skriningut për zbulimin e hershëm të sëmundjeve gjinekologjike. “Me këtë masë arrihet kursim afatgjatë për shtetin, përmes uljes së shpenzimeve për trajtimin e pacientëve në nivel terciar”, theksoi ajo.

Kryetarja e SHMPRM-së, dr. Lilija Çollakova-Dervishova, shprehu kënaqësi për rritjen e pikës së kapitacionit në emrin e saj dhe në emër të të gjithë mjekëve amë. Ajo veçanërisht e theksoi rëndësinë e këtij stimulimi për mjekët që punojnë në mjediset rurale, ku kushtet janë dukshëm më të vështira. Gjithashtu, e theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të vazhdueshëm me Fondin e Sigurimit Shëndetësor në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të lidhura me punën e mjekëve amë.

Stomatologu amë, z. Loran Strashevski, foli për efektet pozitive që kjo masë do t’i ketë mbi praktikën stomatologjike. “Rritja e pikës së kapitacionit do të kontribuojë në mbajtjen e stomatologëve të rinj në vend dhe do ta ulë rrezikun e mbylljes së ordinancave stomatologjike. Ky stimulim do të mundësojë modernizimin e ordinancave përmes furnizimit me aparaturë bashkëkohore dhe materiale stomatologjike”, theksoi Strashevski.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë edhe më tej mbetet e përkushtuar ndaj avancimit të kujdesit shëndetësor primar dhe mbështetjes së mjekëve amë si segment kyç në sistemin e kujdesit shëndetësor.