Digjitalizimi i përshpejtuar është i nevojshëm për një sistem shëndetësor më efikas
Drejtorët e përgjithshëm të FSSHRMV-së Sasho Klekovski dhe Branko Axhigogov në takimin e punës të mbajtur më datë 16.07.2024, së bashku me ministrin e Digjitalizimit Stefan Andonovski zhvilluan një bisedë konstruktive me temë: përshpejtimi i procesit të digjitalizimit të sistemit shëndetësor në vend, rritja dhe përmirësimi i shërbimeve digjitale dhe rrjetëzimi i të gjitha të dhënave në një vend për pacientët.
Nevoja për digjitalizim të plotë në këtë segment është e domosdoshme, me këtë do të rritet efikasiteti dhe efektiviteti i shërbimeve shëndetësore, do të zvogëlohet puna administrative e punonjësve shëndetësorë dhe çdo person mjekësor do t’i ketë të gjitha të dhënat e nevojshme për një pacient. Sistemi mund të përmirësohet duke ofruar më shumë shërbime dhe në këtë mënyrë do të përshpejtohet përdorimi i shërbimeve shëndetësore dhe do të ulet në mënyrë drastike mundësia e korrupsionit.
"Prioritet është digjitalizimi, sepse vetëm me digjitalizim rritet transparenca dhe përmirësohet kontrolli, në të gjitha fushat, nga recetat deri te mjekimi jashtë vendit. Rezistenca që është shfaqur ndaj digjitalizimit në segmentin e shëndetësisë vjen si pasojë e uljes së mundësisë për abuzime. Por tani ka vullnet politik që kjo të tejkalohet”, shpjegoi Klekovski në takim.
Për ministrin Andonovski, ky parim i punës me futjen e elementeve të digjitalizimit është mënyrë për të shmangur abuzimet e mëtejshme, që pacientët t’i marrin shërbimet e dëshiruara më shpejt dhe më mirë. Ministri Andonovski theksoi edhe rëndësinë e lidhjes me Uslugi.gov.mk
Tashmë po bëhet analizë e të gjitha përmirësimeve të nevojshme të sistemit dhe në periudhën e ardhshme do të fillojë zbatimi.