Njoftim në lidhje me kontestet gjyqësore me një spital të huaj
Bëhet fjalë për persona të siguruar që me aktvendim të Fondit janë udhëzuar të trajtohen në spitalin e huaj në vitet 2016, 2017 dhe 2018, për çka është bërë pagesë avansi në përputhje me pro-faturën e dorëzuar nga vetë spitali. Në aktvendim është shënuar se në cilin institucion shëndetësor do të trajtohet personi i siguruar, për çfarë periudhe të trajtimit spitalor jepet miratimi dhe sa mjete monetare miratohen sipas pro-faturës së lëshuar paraprakisht nga spitali i huaj.
Së bashku me aktvendimin, Fondi përgatiti edhe një shkresë - njoftim për spitalin e huaj me të cilën informon se pro-fatura e dorëzuar është pranuar dhe se nëse gjatë trajtimit paraqitet nevoja për vazhdimin e qëndrimit spitalor mbi atë të miratuar nga ana e Fondit dhe/ose nevoja për shpenzime shtesë, Fondi duhet të njoftohet menjëherë.
Gjithashtu, me këtë njoftim, Fondi informon se nuk do të pranohen dhe nuk do të paguhen shpenzime që nuk janë miratuar paraprakisht dhe se fatura nga trajtimi spitalor i përfunduar duhet të dorëzohet në afat prej 30 ditësh nga përfundimi i të njëjtit, me qëllim të mbylljes financiare të secilës lëndë veç e veç.
Kontestet gjyqësore lindin për shkak se spitali i huaj nuk ka vepruar sipas udhëzimeve të dhëna në njoftimet e Fondit dhe për kërkesat për shpenzime shtesë e ka njoftuar Fondin më shumë se dy vite më vonë, përkatësisht në fillim të vitit 2020, gjë që nuk është në përputhje me rregullativën ligjore të përcaktuar nga Fondi.
Ky veprim jo në kohë i spitalit ka bërë që Fondi dhe personat e siguruar të mos kenë njohuri për shpenzimet përfundimtare të trajtimit, në mënyrë që të mund të nisin procedurë me kërkesë për njohjen e diferencës nga avansi i miratuar deri te shpenzimet përfundimtare ose të ashtuquajturat shpenzime shtesë të trajtimit.
Fondi i ka ndërmarrë në kohë të gjitha veprimet e nevojshme që janë në kompetencën e tij dhe i ka udhëzuar personat e siguruar për trajtim në spitalin e huaj. Ndërsa, në pjesën e mbylljes financiare-kontabiliste të pagesave me spitalin, janë në vijim procedura gjyqësore.