Intervistë me drejtoreshën e përgjithshme të FSSHRMV-së
Realizimi i qëllimeve parandaluese u stopua në bazë të Vendimit për shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të Covid-19, vlefshmëria e së cilës përfundoi më datë 30.06.2022. Deri më sot një Vendim i tillë i ri nuk është miratuar. Duke pasur parasysh gjithë këtë, Fondi nuk ka bazë për shfuqizimin e qëllimeve parandaluese
FSSHRMV-ja tashmë punon në aplikimin e sistemit të vet të integruar elektronik, i cili do t’i ndërlidhë drejtpërdrejt sistemet e informacionit të institucioneve shëndetësore në kohë reale, me çka do të përmirësohet efikasiteti në punë, në shkëmbimin e të dhënave dhe kontrolli mbi të njëjtat, në lidhje me ofrimin e shërbimeve shëndetësore në barrë të Fondit, dhe në drejtim të optimizimit të mjeteve buxhetore në dispozicion sipas nevojave dhe qëllimeve reale të institucioneve shëndetësore
E nderuar, bisedën po e realizojmë në kohë të vështira (kohë pandemie dhe krize ekonomike). A mund të na tregoni cilat janë problemet më akute me të cilat u përballët pas ardhjes në detyrë?
Fillimisht, do të doja t’ju falënderoj për mundësinë që të bisedojmë për më shumë çështje që janë me interes si për mjekët ashtu edhe për pacientët, përkatësisht personat e siguruar.
Duke pasur parasysh se FSSHRMV-ja ka një numër shumë të madh kompetencash me rëndësi të veçantë për të gjitha segmentet shoqërore, çdo ditë përballemi me sfida të ndryshme.
Gjatë muajve të fundit kemi punuar intensivisht në më shumë fusha të sigurimit shëndetësor, në drejtim të përballjes me sfida të ndryshme.
Domethënë, duke pasur parasysh se në këtë detyrë erdha kah fundi i prillit të këtij viti, ndërsa për një periudhë të caktuar paraprake tashmë ishte punuar në reformën në mbrojtjen shëndetësore primare, sigurisht që kjo reformë më tërhoqi vëmendje të madhe.
Përveç kësaj, krahas kësaj çështjeje, një pjesë e fokusit u drejtua kah zbatimi i mekanizmave të përforcuar të kontrollit për faturat për barnat e dhëna në barrë të Fondit në barnatore, për çka punohet intensivisht prej muajsh.
Nuk mund të mos theksohet sfida e vazhdueshme për Fondin, e lidhur me implikimet financiare, si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe pasojat e krizës botërore të Covid-it, e cila gjatë viteve 2020 dhe 2021 ushtroi presion të jashtëzakonshëm mbi punën e institucioneve shëndetësore dhe punonjësve shëndetësorë, dhe me këtë në mënyrë indirekte edhe mbi Fondin.
Në çfarë gjendjeje financiare është Fondi?
Fondi është në gjendje financiare stabile dhe rregullisht dhe në kohë i kryen pagesat e detyrimeve ndaj të gjitha subjekteve kontraktuese.
Cilat janë prioritetet në planin e punës për vitin e ardhshëm 2023, në kontekstin Fondi i Sigurimit Shëndetësor - institucionet shëndetësore?
FSSHRMV-ja, si blerës i shërbimeve shëndetësore mbi parimet e gjithëpërfshirjes, solidaritetit dhe barazisë, siguron ofrim cilësor dhe në kohë të kompensimeve për të drejtat e realizuara të personave të siguruar të Fondit dhe pagesa për shërbimet shëndetësore për të cilat lidh kontrata me institucionet shëndetësore.
Fokusi i qëllimeve strategjike për vitin 2023 të FSSHRMV-së do të drejtohet kah gjetja e modeleve dhe mekanizmave shtesë përmes proceseve të riorganizimit dhe motivimit përkatës të resurseve njerëzore dhe njëkohësisht përdorimit optimal të resurseve materiale, në drejtim të sigurimit të një cilësie më të lartë të shërbimeve që institucionet shëndetësore ua ofrojnë pacientëve, përkatësisht personave të siguruar.
Ekzistojnë vërejtje në funksionimin e sistemit lidhur me realizimin e të drejtave të qytetarëve në pjesën e recetave, listës së barnave, pushimeve mjekësore dhe të ngjashme. Në çfarë drejtimi është angazhimi i Fondit për tejkalimin e këtyre problemeve?
Sa i përket modelit dhe sistemit të funksionimit të Fondit, deri tani nuk kemi vërejtje, përveç në drejtim të përsosjes së funksionaliteteve sistemore tashmë të vendosura për të cilat është kompetent Fondi.
FSSHRMV-ja tashmë punon në aplikimin e sistemit të vet të integruar elektronik, i cili do t’i ndërlidhë drejtpërdrejt sistemet e informacionit të institucioneve shëndetësore në kohë reale, me çka do të përmirësohet efikasiteti në punë, në shkëmbimin e të dhënave dhe kontrolli mbi të njëjtat, në lidhje me ofrimin e shërbimeve shëndetësore në barrë të Fondit, dhe në drejtim të optimizimit të mjeteve buxhetore në dispozicion, sipas nevojave dhe qëllimeve reale për institucionet shëndetësore. Në këtë mënyrë, receta elektronike e Fondit e aplikuar do të mundësojë, ndër të tjera, qasje në informacione në kohë reale ndërmjet Fondit dhe institucioneve shëndetësore në pjesën e krijimit dhe realizimit të recetave në format elektronik për barna në barrë të Fondit.
Sa i përket procedurës për përditësimin e të ashtuquajturës “Lista Pozitive e Barnave”, në përputhje me dispozitat ligjore, Fondi punon intensivisht me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila është kompetente për miratimin e akteve të nevojshme ligjore për zbatimin praktik të kësaj reforme.
Për pagesat për pushimet mjekësore mund të them se ato kryhen në vazhdimësi, pa ndërprerje, sipas dinamikës përkatëse të përpunimit të kërkesave të kompletuara, dhe në këtë mënyrë paguhen edhe mjetet për pushim mjekësor. Kjo nënkupton se problem me vonesë të pagesës mund të paraqitet eventualisht në rast të dokumentacionit të pakompletuar nga ana e mjekut amë ose nga punëdhënësi.
A është, sipas jush, i arsyeshëm mendimi i qytetarëve “pse më duhet sigurim shëndetësor kur sidoqoftë gjithçka duhet ta paguaj privatisht”, nëse edhe analizat tregojnë se edhe para krizës së Covid-it një pjesë të madhe të shërbimeve shëndetësore qytetarët i paguanin privatisht, ndërsa edhe një pjesë e madhe e barnave nuk janë në listën pozitive, e cila nuk është rinovuar prej vitesh (dhe nuk është shqyrtuar më seriozisht, rinovuar, përditësuar e të ngjashme)?
Me mjetet që personat e siguruar të Fondit i paguajnë si bazë për realizimin e të drejtave nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, në mënyrë solidare për çdo person të siguruar mund të sigurohen edhe një numër më i madh shërbimesh shëndetësore dhe barnash. Ky model nënkupton të drejta për çdo person të siguruar të Fondit.
Fakti që “Lista e Barnave” fatkeqësisht nuk është përditësuar prej vitesh, dhe për këtë arsye tani po punojmë intensivisht për aplikimin e një procesi bashkëkohor, nuk buron dhe nuk është çështje që ka të bëjë vetëm me buxhetin e Fondit.
Sipas praktikës pozitive botërore dhe në përputhje me Direktivën e transparencës të BE-së, për vendosjen e një procesi të vazhdueshëm për rinovimin e “Listës Pozitive” është e rëndësishme korniza ligjore, dhe sigurisht edhe rregullat dhe kriteret bazë të vendosura për punë transparente, të cilat me ligjin në fuqi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë duhet të rregullohen me rregullore.
Në drejtim të realizimit të këtij qëllimi programor, më 28 shtator në Qeverinë e RMV-së, një ekip i FSSHRMV-së, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, dr. Bekim Sali, mori pjesë në një takim profesional dhe debat me qëllim shqyrtimin e vëzhgimeve dhe sugjerimeve të caktuara lidhur me Propozim-rregulloren për mënyrën dhe metodologjinë për përcaktimin e “Listës së Barnave” që bien në barrë të Fondit, e cila rregullore duhet të jetë bazë e mirë për zbatimin cilësor të procedurës së përfshirjes së barnave në “Listën Pozitive”, si dhe procedurave të tjera të lidhura me rishikimin e “Listës Pozitive të Barnave”.
Fondi i mbështet fuqishëm të gjitha aktivitetet dhe masat për rinovimin e “Listës së Barnave” në interes të personave të siguruar të Fondit.
Çfarë mendoni për propozimet për reformimin e Fondit - në vend të Bordit drejtues të Fondit të formohet Kuvendi i personave të siguruar?
Për këtë çështje nuk kemi marrë njohuri paraprake. Dua të theksoj se edhe në strukturën aktuale drejtuese të Fondit ka përfaqësues që i përfaqësojnë personat e siguruar. Domethënë, Bordi drejtues përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët i emëron Qeveria e RMV-së për një periudhë prej katër vjetësh. Bordin drejtues e përbëjnë nga një përfaqësues i propozuar nga: Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, nga Oda Ekonomike, një përfaqësues nga Oda e Mjekëve, Farmacistëve dhe Stomatologëve, përfaqësues nga Shoqata e Pensionistëve dhe përfaqësues i personave të siguruar i propozuar nga Shoqata e Konsumatorëve.
Për një kohë më të gjatë është theksuar nevoja për rritjen e kapitacionit si problem serioz, lartësia e të cilit nuk ka ndryshuar që nga viti 2018. A mund të presin mjekët amë përgjigje pozitive dhe kur?
Në vijim është aktiviteti dhe bashkëpunimi me të gjitha institucionet kompetente për aplikimin e reformës për pagesën e shërbimeve shëndetësore në mbrojtjen shëndetësore primare, më saktësisht mënyrën e llogaritjes dhe pagesës ndaj mjekëve të zgjedhur. Rritja e fundit e shumës së kapitacionit ishte në tetor 2019, me rritjen e pikës së kapitacionit nga 55 në 63 denarë (+14,55%).
Përveç analizimit aktiv të nevojave dhe mundësive për rritjen e pikës së kapitacionit, janë kërkuar mjete nga Ministria e Financave nga Projeksioni buxhetor për vitin 2023 dhe në vijim janë negociatat për përcaktimin e Buxhetit të FSSHRMV-së për vitin 2023.
A do të hiqet realizimi i qëllimeve parandaluese gjatë kohëzgjatjes së krizës shëndetësore?
Nga ana e mjekëve amë është theksuar se në kushte kur ka numër të madh të të sëmurëve nga Covid-19 nuk duhet të përzihen pacientët e shëndoshë me të sëmurët, përkatësisht nuk mund të sigurohen kushte për realizimin e qëllimeve, sepse rritet rreziku për përhapjen e virusit.
Parandalimi është pjesë kyçe e kujdesit për shëndetin e kombit, ndërsa qëllimet parandaluese janë vendosur pikërisht në atë drejtim, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të parandaluar komplikime të ndryshme nga zbulimi i vonuar i sëmundjeve.
Përveç kësaj, në periudhën e kaluar realizimi i qëllimeve parandaluese u stopua në bazë të Vendimit për shpalljen e gjendjes së krizës për shkak të Covid-19, vlefshmëria e të cilit përfundoi më 30.6.2022. Deri më sot, një Vendim i tillë i ri nuk është miratuar.
Duke pasur parasysh gjithë këtë, Fondi nuk ka bazë për shfuqizimin e qëllimeve parandaluese.