Njoftim në lidhje me shërimin jashtë vendit për të siguruarin L.I.
FSSHRMV që nga momenti i parë me kujdes e përcjell rastin e L.I., nga hospitalizimi i tij në R. e Greqisë, prej ku është sjellë në ISHP KARKI, e deri në parashtrimin e kërkesës për udhëzim për shërim jashtë vendit.
Në këtë moment në Fond udhëhiqen dy procedura të veçanta.
E para ka filluar që në shtator 2023 dhe për të ka një lëndë të hapur e cila ende është në vijim për shkak të dokumentacionit mjekësor të dorëzuar jo të plotë, për të cilin është dërguar kërkesë zyrtare te parashtruesit, megjithatë dokumentacioni i domosdoshëm për vendimmarrje ende nuk është dorëzuar.
Nga shtatori 2023, pacienti është transferuar në ISHP KARKI, prej ku me iniciativë të vetë familjes është dërguar me automjet mjekësor në një spital privat, me të cilin FSSHRMV nuk ka lidhur marrëveshje për llojin e shërbimeve shëndetësore që janë ofruar, dhe ku ka qëndruar deri në momentin kur më 6.2.2024 me helikopter është transportuar në një institucion shëndetësor në Austri.
FSSHRMV as nuk ishte njoftuar, as nuk mori pjesë në organizimin e transportit me helikopter me të cilin pacienti u largua për në një institucion shëndetësor në Austri, me iniciativë të familjes.
Në lidhje me Vendimin e miratuar nga Komisioni i Shkallës së Parë i FSSHRMV-së, është e rëndësishme të theksohet se i njëjti veproi sipas dokumentacionit që ishte dorëzuar me kërkesën, si dhe sipas dokumentacionit që e siguroi shtesë sipas detyrës zyrtare. Gjegjësisht, Vendimi është miratuar si rezultat i faktit se vetë Propozimi për udhëzim jashtë vendit nuk përmban aspak drejtim konkret për llojin e ndërhyrjes që duhet të kryhet gjatë shërimit jashtë vendit, por përmban vetëm procedura të përgjithshme për rehabilitim.
Për më tepër, lloji i trajtimit i propozuar nga qendra në Austri ka të bëjë me shërbime shëndetësore nga fusha e terapisë fizikale dhe rehabilitimit mjekësor.
Duke vepruar sipas kërkesës, Komisioni i Shkallës së Parë i FSSHRMV-së merr vendimin negativ.
Këtu edhe një herë dëshirojmë të vëmë në dukje kufizimet ligjore gjatë veprimit për këtë rast, më saktësisht, në pajtim me nenin 30 paragrafi 1 dhe paragrafi 2 të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor (“Gazeta Zyrtare e RMV-së” nr. 25/00; 34/00; 96/00; 104/00; 30/01; 48/01; 50/01; 11/02; 31/03; 84/05; 119/05; 37/06; 109/06; 18/07; 36/07; 88/07; 88/07; 106/07; 82/08; 98/08; 142/08; 6/09; 45/09; 67/09; 14/10; 50/10; 156/10; 19/11; 53/11; 166/11; 26/12; 65/12; 145/12; 16/13; 91/13; 187/13; 43/14; 44/14; 97/14; 112/14; 113/14; 188/14; 20/15; 61/15; 61/15; 98/15; 129/15; 150/15; 154/15; 192/15; 217/15; 27/16; 37/16; 120/16; 142/16; 171/17; 275/19; 92/20; 77/21; 285/21; 60/23; 154/23; 209/23):
“Personi i siguruar mund të shfrytëzojë shërim spitalor jashtë vendit me miratimin e Fondit, nëse bëhet fjalë për sëmundje që nuk mund të trajtohet në Republikë, ndërsa në vendin në të cilin udhëzohet i siguruari ekziston mundësia për shërim të suksesshëm të asaj sëmundjeje.
Personi i siguruar, nën kushtet e përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, mund të shfrytëzojë jashtë vendit edhe shërbime shëndetësore të ekzaminimeve kontrolluese që kanë të bëjnë me shërimin spitalor tashmë të kryer jashtë vendit, të miratuar nga Fondi, e të cilat nuk mund të kryhen në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”
Për më tepër, në pajtim me nenin 44 paragrafi 3 të Rregullores për mënyrën e shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore të personave të siguruar jashtë vendit (“Gazeta Zyrtare e RMV-së” nr. 234/22), thuhet:
“Personi i siguruar të cilit konsiliumi klinik i Klinikës përkatëse Universitare në Shkup i ka lëshuar propozim për udhëzim për shërim jashtë vendit me qëllim të zbatimit të procedurës diagnostikuese, ekzaminimit kontrollues para kryerjes së shërimit spitalor, ekzaminimeve kontrolluese pas përfundimit të shërimit spitalor për të cilat personi i siguruar nuk ka zbatuar procedurë para Fondit, për shërim që nuk është i bazuar në doktrinë të miratuar mjekësore dhe mjekësi të bazuar në prova, si dhe për shërim që gjendet në fazë të studimit klinik dhe rehabilitimit të specializuar mjekësor, nuk ka të drejtë për kompensim të shpenzimeve në barrë të Fondit, në pajtim me dispozitat e kësaj Rregulloreje.”
Sipas këtyre dispozitave ligjore dhe nënligjore, Fondi mund ta udhëzojë personin e siguruar vetëm për shërim spitalor dhe ekzaminim kontrollues pas shërimit spitalor të miratuar jashtë vendit, por jo edhe për rehabilitim mjekësor.
Për më tepër, duam të theksojmë edhe se Vendimi i Fondit me të cilin refuzohet kërkesa për udhëzim jashtë vendit ende nuk është përfundimtar.
Me marrjen e aktvendimit, pala është njoftuar për rrugët e rregullta juridike që e njëjta mund t’i shfrytëzojë në procedurën administrative që e udhëheq Fondi.
Në pajtim me rregullativën ligjore pozitive, pala gjatë shfrytëzimit të mjeteve juridike ka të drejtë të parashtrojë prova dhe dokumentacion mjekësor shtesë për të cilin vlerëson se mund të ndikojnë në procedurë, dhe me të cilin do ta kontestonte vendimin tashmë të miratuar të Fondit.
Me respekt,
FSSHRMV