Vizitë në laboratorin e Fakultetit të Farmacisë
Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Maqedonisë do të paguajë pjesën më të madhe të shumës së nevojshme për mbi 30 lloje analizash për ndikimin e barnave që marrin pacientët, para së gjithash ata me sëmundje malinje, por pa u kufizuar vetëm tek ata, të cilat do të kryhen në laboratorin për analiza farmaceutike biomolekulare pranë Fakultetit të Farmacisë. Deri më tani për këto analiza pacientët paguanin shuma të larta financiare, disa prej tyre deri në 11.000 denarë, ndërsa tani ato do të kryhen vetëm me participim, që do të thotë se shuma që duhet të paguajnë për to ulet shumëfish. Participimi më i lartë me gjasë do të jetë rreth 1.000 denarë dhe këtë e parashikon marrëveshja, të cilën sot e lidhën Fakulteti i Farmacisë dhe FSSHM-ja. Bëhet fjalë për marrëveshjen e parë të lidhur ndërmjet FSSHM-së dhe Fakultetit të Farmacisë për ofrimin e shërbimeve që lidhen me pacientët.