Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut Fondi i Sigurimit Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut

Fondi i Sigurimit Shëndetësor me dy procese të rëndësishme në interes të personave të siguruar

Fondi i Sigurimit Shëndetësor me dy procese të rëndësishme në interes të personave të siguruar

Sot, në hapësirat e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, drejtori i përgjithshëm z. Sasho Klekovski mbajti brifing me përfaqësuesit e mediumeve, në të cilin i informoi gazetarët, dhe përmes tyre edhe tërë opinionin, për dy procese jashtëzakonisht të rëndësishme që po realizohen aktualisht.

Rishikimi i kritereve për sigurimin shëndetësor

Me iniciativë të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, me vendim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, filloi procesi i rishikimit të kritereve për sigurimin shëndetësor.
Maqedonia ka një nga ligjet më gjithëpërfshirëse në rajon, i cili siguron bazë për sigurim shëndetësor për çdo qytetar, me qëllim – sigurim shëndetësor universal për të gjithë. Aktualisht, në sistemin e Fondit janë të regjistruar 1.845.007 persona të siguruar.

Fokusi i rivlerësimit është në bazën për sigurimin e personave me të ardhura më të ulëta dhe më të larta që nuk janë të punësuar formalisht. Mbi këtë bazë, janë të siguruar rreth 477 mijë persona, ndër të cilët ekziston rreziku i keqpërdorimeve, veçanërisht te personat që punojnë në ekonominë gri ose jetojnë dhe realizojnë të ardhura jashtë vendit, ndërsa nuk kanë të ardhura të regjistruara në vend.

Prandaj, Fondi pëson humbje si në bazë të kontributeve të papaguara, ashtu edhe në bazë të kapitacioneve më të larta të paguara për mjekët amë, sepse numri i personave të siguruar është bazë për pagesën e tyre.
Procesin e zbaton  një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Fondit, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ndërsa sipas nevojës konsultohet edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Zgjerimi i Listës pozitive deri në fund të nëntorit

Procesi i dytë i rëndësishëm është në drejtim të zgjerimit të Listës pozitive të barnave.
Fondi është në fazën përfundimtare të procedurës për përfshirjen e dy antikoagulantëve – Enoxaparin dhe Nadroparin (të njohur si Clexane dhe Fraxiparine), të cilët do të jenë të disponueshëm për trajtim të zgjatur në shtëpi.

Këto barna deri më tani ishin në listën spitalore dhe rimbursoheshin nga Fondi. Me kalimin e tyre në

Listën pozitive A, do të arrihet përfitim i dyfishtë:

  • pacientët do të kenë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në terapi, të cilën do ta marrin drejtpërdrejt me recetë,
  • Fondi do të ketë ngarkesë të reduktuar administrative në procesin e rimbursimit.

Në vijim është zbatimi i analizave të nevojshme dhe marrëveshjeve me distributorët, me qëllim që deri në fund të nëntorit të finalizohet procedura.

Sfidat e procesit kanë të bëjnë me:

  • mungesën e të dhënave të besueshme për konsumin e barnave,
  • nevojën për implementimin e plotë të E-recetës, e cila do të mundësojë kontroll IT në vend të kontrollit fizik,
  • dhe vendosjen e hyrjes së dakorduar në listën pozitive, me çka do të garantohet mbrojtja e çmimeve dhe kufizimi i bashkëpagesës së mundshme për qytetarët.

Pas përfundimit të brifingut, drejtori i përgjithshëm z. Sasho Klekovski iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.